Bllokimi i veriut nga serbët/ Eksperti i sigurisë tregon plani i kujt po zbatohet – ja si të veprohet

Serbët në veri të vendit kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje, të cilat siç ka njoftuar Policia, janë mbyllur krejtësisht, pas bllokimit nga serbët, raporton Gazeta Blic.

E gjithë kjo vjen pasi nga nesër do të zbatohet reciprociteti me Serbinë për targat dhe personat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duke u pajisur me dokumentacion përkatës.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë për Gazeta Blic se situata e tillë pritej qysh me deklarimet e presidentit serb dhe ardhjen e Milan Rajdojeçiqit në veri.

“Pra situata e krijuar tani është pikërisht ajo që është pritur nga pozicionimi i presidenti serb, i cili ka proklamuar që situata do të jete në një krizë, e cila tanimë është e njohur që nga ardhja e Milan Rajdojeçiqit, i cili tanimë ka aktivizuar strukturat kriminale në veri në zbatimin e planit të presidentit serb në veri, të bllokimit të lëvizjes së lirë”, thekson ai.

Sipas Shalës, MPB duhet të ndërmarrë veprime konkrete duke zhbllokuar rrugët dhe garantuar lëvizje të lirë.

“MPB duhet që të ndërmarrë veprime konkrete për të zhbllokuar rrugët dhe garantuar lëvizjen e lirë, duke vënë në dispozicion makineri të rëndë sepse kjo ishte edhe frika, që të kemi një situatë sikur ajo e vitit 2021 ku janë bllokuar njësitet tona”, vlerëson ai.

Eksperti i sigurisë shton se duhet të jemi vigjilentë me veprime dhe vendime, duke ruajtur sovranitetin e shtetit.

“Pra, në këtë periudhë duhet të jemi vigjilentë në veprime dhe vendime duke ruajtur sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe luftuar krimin dhe kriminelët në veri, në krye me Milan Radojeçiq”, deklaron Drizan Shala.

Lexo edhe:  Policia jep detaje për rastin tragjik në Skënderaj, ku u gjet i vdekur një 28 vjeçar