Kapen të dyshuarit për vrasjen në tentativë në Prishtinë, njëri nga ta kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak

Pak më parë u raportua për një vrasje në tentativë që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku dy persona dyshohet se kanë shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të një veture që po drejtohej nga një 22-vjeçar. Të dyshuarit pas masave hetimore, janë identifikuar dhe janë kapur nga Policia.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë Alban Ismajli 39-vjeçar dhe Pajtim Sylejmani 33-vjeçar.

Ismajli dhe Sylejmani janë intervistuar në Polici lidhur me rastin dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Sylejmanit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa Ismajli i cili kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak, është dërguar në paraburgim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Lexo edhe:  “Vuçiq është hajdut”, qytetari shkruan në një billbord në Serbi