Kapen dy punëtorë të ‘ATC Grill’ në Fushë Kosovë: 17-vjeçari e ther me thikë kolegun

Konfliktet në vendet e punës janë incidente goxha të shpeshta që ndodhin në biznese të ndryshme në Kosovë. Mosmarrëveshjet për punë shpesh eskalojnë edhe në kanosje e përleshje dhe për pasojë përfundojnë si raste në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në lokalin ‘ATC Grill’ në Fushë Kosovë.  

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, punëtorë të këtij restoranti, të cilët janë futur në sherr pas një zënke që dyshohet se kanë pasur lidhur me punën.

Sinjali mëson se punëtori i dyshuar, i moshës së mitur e ka sulmuar kolegun e tij me një mjet të mprehtë, thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka kërkoi ndihmë mjekësore në QKMF.

Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar incidentin në Polici, me ç’rast palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor për veprën “Lëndim i lehtë trupor”

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga ‘ATC Grill’, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në numrin kontaktues.

Lexo edhe:  Fiton Rrahman Jasharaj – Dorëzohet Qeveria, ekzekuton pagat e mbetura