Kamioni me mallra të kontrabanduara godet veturën e Policisë së Kosovës në Leposaviq, pesë policë të lënduar

Policia e Kosovës është përballur mbrëmë me një kërcënim serioz në fshatin Jashanicë të komunës së Leposaviqit. Derisa disa zyrtarë policorë të kufirit gjatë kohës që po tentonin ta ndalin një kamion i cili dyshohej se bartte mallra të kontrabanduara, janë penguar nga dy automjete civile.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit ka goditur veturën e Policisë duke u shkaktuar kështu lëndime zyrtarëve policorë si dhe dëme të konsiderueshme materiale.

“Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejt të Policisë Kufitare në asistencë të njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të Magjistrales Mitrovice-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar. Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhet në komunikatë.

Zyrtarët policorë kanë arritur që në fshatin Llazhinë ta ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar shoferin, A.D., 32-vjeçar.

Lexo edhe:  “Nuk ka qenë një ditë e lehtë për mua”, deputetja e VV-së reagon pasi iu bë virale videoja ku bllokoi gjatë fjalimit

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe të iniciohen rastet për ‘Kalim i kufirit ilegal’, ‘Kontrabandim me mallra’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Ndërsa shoferi i veturës civile, U.R., 20-vjeçar, është liruar që të hetohet në procedurë të rregulltë.

Sipas Policisë, malli i kontrabanduar i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme.