“Kam me t’i thye gjymtyrët”, biznesmeni nga Podujeva kanos policët

Një incident i rëndë është shënuar pasditen e së martës në qendër të Podujevës, ku një qytetar ka kërcënuar zyrtarët policorë në detyrë, mëson Sinjali nga burimet e tij brenda organeve të rendit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në udhëkryqin “28 Nëntori – Skënderbeu”, ku dy njësi policore kishin dalë për të menaxhuar situatën me parkime të parregullta në zonën më të frekuentuar të qytetit.

Sipas informacioneve operative, Albert Rizahi, 43-vjeçar pronar i një agjencie turistike për transport udhëtarësh, refuzoi t’i bindet urdhrave të policisë, duke i fyer rëndë me fjalor banal. Kur efektivët tentuan ta shoqëronin në stacion, ai iu kanos njërit prej policëve, duke i thënë: “Kam me t’i thye gjymtyrët!”

Rizahi u arrestua menjëherë dhe u intervistua në praninë e avokatit të tij, ndërsa për rastin u njoftuan edhe hetuesit rajonalë, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendngjarje por pritet ta marrin në trajtim dosjen.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për kanosje ndaj personit zyrtar, vepër e sanksionuar sipas nenit 181 paragrafi 3 i KPRK-së.

Hetimet po vazhdojnë dhe Sinjali do t’ju sjell zhvillimet më të fundit nga ky rast.

Lexo edhe:  Drenicasi 34-vjeçar dyshohet se rrahu ‘balldëskën’ suedeze, viktima police në ambasadën e Suedisë