“Ka punuar në furrë buke për të na mbajtur neve”, flet djali i 42-vjeçares që u vra dje në Vushtrri

Frika dhe pasiguria kanë pllakosur Vushtrrinë. Rrugët duken më të heshtura se zakonisht, ndërsa banorët flasin me zë të ulët për ngjarjet tronditëse.

“Nuk e prisja kështu. E shihja lajmin në portale dhe nuk mund të besoja”, thotë mes lotësh 19-vjeçari Alaudin Haradini.

Nëna e tij 42 vjeçe u vra me armë zjarri më 24 mars në fshatin Stanoc të komunës së Vushtrrisë. Autori i dyshuar i krimit, 58 vjeç, vrau më pas veten.

Më pak se 24 orë më herët, Vushtrria ishte tronditur nga një tjetër ngjarje e rëndë: vrasja e një 19-vjeçari në qendër të qytetit.

Për të dyja rastet, autoritetet thonë se janë duke kryer hetime e duke mbledhur prova, por për Alaudinin dhimbja është e padurueshme.

“Ajo ka punuar në furrë buke për të na mbajtur neve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Me babanë dhe dy motrat më të vogla, Alaudini e gjen veten në një realitet të ri e të papritur. “Vrasja e nënës sime duhet të jetë rasti i fundit”, thotë ai, pa dashur të flasë më gjatë.

Më pak se 15 kilometra larg fshatit të tij, brenda në qytetin e Vushtrrisë, banorët dëgjuan për këtë rast, ende pa u këndellur nga vrasja e 19-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i dyshuar.

“Krejt qyteti është në panik”, thotë Hazir Shabani.

“Të ndodhin këto gjëra në muajin e shenjtë të Ramazanit, është katastrofale”, shprehet ky vushtrrias.

“Qyteti është shumë, shumë i zymtë” edhe për bashkëvendësen e tij, Advie Magjuni.

“Vrasje andej e këndej. Nuk besoj se jemi shumë të sigurt. Fëmijët të bartin armë? Kjo është katastrofë”, thotë 56-vjeçarja.

Një pjesë të përgjegjësisë, ajo e drejton edhe tek institucionet e shtetit, duke thënë se policia duhet të jetë më e organizuar dhe më e pranishme, sidomos në rrugët e lagjet që frekuentohen më shumë.

Lexo edhe:  Burri nga Prishtina sulmon policin e bën për spital

Këtë mendim ndan edhe Nexhmedin Hyseni, 65 vjeç.

“Duhet të ketë policë civilë më shumë, jo në uniformë”, thotë ai, duke bërë me gisht nga një rrugë e qytetit e mbushur me kafene.

Hyseni thotë se i rastis shpesh të shohë grupe të rinjsh, që grinden në publik apo shtyhen me njëri-tjetrin.

Ai thotë se edukata familjare duhet të jetë e tillë që ata të ruajnë vetëkontrollin dhe të kuptojnë se “vrasja nuk është kurrë zgjidhje”.

“Prindërit kanë faj” edhe sipas Qëndrim Zymberit. “Shumë prej tyre i lënë fëmijët pas dore”, thotë ai.

Zymberi është kushëri i 19-vjeçarit të vrarë dhe thotë se ndihet i tmerruar.

“Secilin qytetar që ta pyesësh, ndihet kështu”, thotë ai.

Luljeta Merovci, e cila punon si mësimdhënëse në një shkollë të Vushtrrisë, e konfirmon këtë.

“Nuk duhet pritur të ndodhë diçka dhe pastaj të na hapen sytë. Kjo është pasiguri”, shprehet ajo.