“Ju jeni me Serbinë, sherrin keni me ma pa”/ 40-vjeçari i njohur për Policinë trazon një familje në Istog, arrestohet

Një familje në fshatin Kaliqan të Istogut është në hall me një person i cili po iu shkakton telashe tash e një kohë, për motive ende të panjohura. Që disa herë ata janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga Policia si pasojë e frikës nga kërcënimet serioze të të dyshuarit.

Këto raste jo fort të zakonta kanë ndodhur që dy herë, njëri rast në shtator, e tjetri gjatë ditës së djeshme.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se të shtunën i dyshuari A.Ukaj, u kishte shkuar dy vëllezërve në marketin e tyre, duke i kërcënuar e fjalët “Ju jeni me Serbinë, sherrin keni me ma pa”, e më pas ka vazhduar me fjalë të tjera kërcënuese.

Përballë kësaj situate, viktimat e kanë mbyllur lokalin dhe kanë vendosur të kërkojnë ndihmë nga Policia, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprën penale “Kanosje”.

Sinjali mëson se i dyshuari është emër i njohur për Policinë, pasi edhe më parë, para rreth një muaji, e kishte kërcënuar familjen e njëjtë.

Lexo edhe:  Invalidi i luftës: Milan Radojiçiqin e kam rreh në Gjakovë, 2 orë s’ka mujt me u kthjell, e di krejt lagjja