Ishte dënuar për rrezikim të trafikut, ky është kosovari që u arrestua në aeroport – dërgohet në burg
Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, por që të cilët kanë ikur nga duart e drejtësisë.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, kanë rënë në pranga të Policisë disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Njëri prej tyre, siç mëson Sinjali është U. H, 52 vjeç, – i cili është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku pas verifikimit, rezultoi se ndaj tij ka urdhëresë aktive.
I njëjti ishte në listën e personave të kërkuar, pasi Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.