Ishte dënuar me 6 muaj burgim për grabitje, ky është personi që u arrestua dje në Podujevë
Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia.
Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, por që të cilët kanë ikur nga duart e drejtësisë.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, kanë rënë në pranga të Policisë edhe disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Njëri prej tyre, siç mëson Sinjali është Florent Gashi, 26-vjeçar, i cili është kapur gjatë ditës së djeshme në Podujevë pasi ndaj tij ka pasur urdhëresë aktive.
I njëjti ishte në listën e personave të kërkuar, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale “Grabitje”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.