Ish-drejtori komunal i Vetëvendosjes zgjidhet zyrtar financiar në “Trepçë”

Ish-drejtori komunal për Buxhet dhe Financa në kohën kur Vetëvendosje qeveriste në Mitrovicë, Shukri Gashi, është zgjedhur zyrtar kryesor financiar në ndërmarrjen “Trepça”.

“Jepi zë” dje raportoi ekskluzivisht se ish drejtori komunal në Mitrovicën Jugore dhe Veriore mori pozitë të lartë në Trepçë.

Gashi ka qenë drejtor në kohën kur kryetar i Komunës ishte Agim Bahtiri.

“Culi”, siç ndryshe njihet ai, shihet i afërt me partinë që drejton Qeverinë e vendit, Lëvizjen Vetëvendosje.


Lajmin për zgjedhjen e tij në krye të zyrës së financave në “Trepçë” e konfirmoi vetë Shukri Gashi.

“Po, sot kam pranuar e-mailin që jam kandidati i përzgjedhur, megjithatë janë procedurat ligjore që duhet pritur afatin për ankesa të mundshme” – tha Gashi,

Shukri Gashi për disa vite ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Mitrovicës së Jugut, sa ekzekutivi lokal drejtohej nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gashi e ka mohuar se ka pasur ndonjë pozitë të lartë në partinë e Albin Kurtit por tha se drejtor komunal ka qenë deri në nëntor të vitit 2021.

“Në LVV nuk kam pasur asnjëherë pozitë të lartë, nuk kam as tani dhe se me politikë nuk jam marrë ka më shumë se 2 vite. Po drejtor komunal kam qenë, deri më 26.11.2021, nuk jam as anëtar, as asgjë” – deklaroi ai.

Ndërkohë, dje “Jepi zë” raportoi ekskluzivisht se bordi mbikëqyrës i “Trepçës” zgjodhi Bashkim Kurtin kryeshef të ndërmarrjes.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes mjeku i njohur, ishte profesor në Fakultetin e Mjekësisë