Ish-diplomati serb: Serbia brenda pak muajsh do të zhduket krejtësisht nga Kosova

Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviq, ka thënë se ndalimi i dinarit në Kosovë dhe mbyllja e komunave paralele është në përputhje me udhërrëfyesin e Ohrit, të cilin e ka pranuar vitin e kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vujoviq tha për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se Vuçiq vendosi t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” me shumë vonesë”.

“Vuçiq luajti duke pranuar të gjitha pikat nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Ai ua dorëzoi gjithë Kosovën institucioneve shqiptare të Kosovës dhe tani është e kotë të kërkosh ndihmë nga Këshilli i Sigurimit. Në fund të fundit, Uashingtoni nuk do të lejojë një seancë për temën e Kosovës para zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe parlamentare europiane, si dhe për shkak të situatës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”, thotë Vujoviq.

Sipas tij, pas heqjes së dinarit dhe ndalimit të punës së organeve komunale në Kosovë të emëruara nga Qeveria e Serbisë, do të pasojë integrimi i plotë i shëndetësisë dhe arsimit serb në sistemin e Kosovës.

“Përveç kësaj, të gjitha kompanitë serbe nga veriu i Kosovës do të duhet të riregjistrohen në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve.

“Për shkak të politikës së gabuar të Vuçiqit, vendi i Serbisë do të zhduket plotësisht nga Kosova në muajt e ardhshëm”.

Ai shtoi se Vuçiq e ka humbur plotësisht kredibilitetin e tij si në skenën politike të brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare dhe se askush nuk i beson më atij, as serbët në Kosovë.

“Pas ngjarjeve tragjike në Banjska të 24 shtatorit dhe vjedhjes së zgjedhjeve të 17 dhjetorit, korrupsionit masiv dhe zbulimit të një aplikacioni Skype që dëshmonte për lidhjen e pushtetit të lartë me qarqet kriminale, Vuçiq është një njeri i shantazhuar shumë herë. Tani, për të ruajtur pozitën e tij, ai duhet të luajë me muzikën e Albin Kurtit dhe Perëndimit dhe më 8 shkurt do të laget në mënyrë të pakëndshme me ujë të ftohtë në Parlamentin Evropian”, theksoi Vujoviq.

Lexo edhe:  Koci: Jam i gatshëm të shkojë në Serbi, nëse më autorizon familja e Fatonit dhe shteti