Ish burri s’e lë rehat gruan në Pejë, në gjendje të dehur e telefonon dhe e kërcënon me jetë

Shpesh herë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në Pejë, ku një grua ka denoncuar në Polici ish bashkëshortin e saj me të cilin kishte qenë e martuar për disa vite.

Sinjali mëson se 46-vjeçari vazhdimisht shqetëson dhe ngacmon ish bashkëshorten e tij përmes mesazheve në telefon, të cilat kanë përmbajtje banale. E nga ai nuk mungojnë as telefonatat, mirëpo kjo e fundit ka ngjallur frikë e shqetësim te gruaja.

Sipas dëshmisë së saj në Polici, i dyshuari dje e ka telefonuar dhe e ka kërcënuar me jetë. Përballë kësaj situate ajo ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës.

Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim. Në stacion ai iu nënshtrua edhe testit të alkoolit, ku rezultoi në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Dyshohet se kanë dhunuar seksualisht dy gra, bien në pranga dy burra në Podujevë