IPK suspendon rreshterin e NJRSH-së, dyshohet se e rrahu keq një qytetar
Sedat Ramdani, rreshter në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në rajonin e Prizrenit është polici që u suspendua sot nga Inspektorati Policor i Kosovës, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
Suspendimi i tij ka ardhur pasi që ai dyshohet se e ka rrahur një qytetar, duke tejkaluar autorizimet policore.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës, por pa dhënë emër e ka konfirmuar se të premten paradite në zyrën rajonale të IPK-së në Prizren një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor.
IPK ka njoftuar se ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin ndaluar fillimisht qytetarin/ankuesin për një kundërvajtje në qytetin e Prizrenit.
“Pas shqiptimit të dy tiketave për kundërvajtje qytetari ishte shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore duke dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë pranuar edhe raportet mjekësore lidhur me natyrën e lëndimeve trupore të ankuesit.”, la njoftuar IPK.
“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj rreshterit policor (rreshter i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren), IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.