Instituti pro-rus nxjerr favorit Kurtin
Nëpërmjet një analize të publikuar së fundmi, i ashtuquajturi ‘Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin’ (IFIMES) e ka nxjerr fitues të padyshimtë Kurtin dhe Vetëvendosjen. Po këtë e ka bërë para disa dite edhe për diktatorin bellarus, Aleksandr Lukashenko, fitorja e të cilit është cilësuar si jolegjitime nga BE. Por, IFIMES-i nuk është mjaftuar vetëm me prognoza: ai ka shkuar deri atje sa ka akuzuar gjyqësorin e prokurorinë se po përgatit komplot për rrëzimin e Kurtit, se krerët e opozitës në Kosovë po konvertohen në katolicizëm dhe se serbët në Kosovë rrezikohen nga ‘bullgarizimi’. Njëri nga autorët e kësaj analize mund të jetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky institut — që ka anëtarë që mbajnë lidhje me spiunin rus Artem Kureyev —i ka bërë konak shpeshherë Berishajt dhe bashkëpunëtorëve të tij në Slloveni.
Col Mehmeti
Presidenti bellarus, Aleksandr Lukashenko dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë dy udhëheqësit e vetëm në Evropë të cilëve Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) u ka dhënë sihariqe pozitive. Diktatorit bellarus, i cili nga 17 gushti i 2020-s është deklaruar si person non grata në BE, i janë rrahur shpatullat për “rezultate të mahnitshme ekonomike.”
Këtë portret pozitiv për Lukashenkon Instituti slloven e ka bërë tre ditë para zgjedhjeve presidenciale në Bellarusi, ku autokrati 70-vjeçar fitoi 87.6 për qind të votave në zgjedhje të konsideruara si të kurdisura—në BE e kanë cilësuar këtë fitore si jolegjitime dhe fyerje ndaj demokracisë, duke kërcënuar me sanksione të reja.
Një shërbim të tillë me sa duket IFIMES e ka rezervuar edhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen afër 2 javë para zgjedhjeve parlamentare.
Favorizimi i VV-së dhe prognoza për 59 për qind
Në analizën e botuar të premten, Instituti nga Lublana e ka shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit në zgjedhje e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.
Si pikëmbështetje për këtë skenar jorealist, autorët e analizës kanë marrë matjet kontroverse të kompanisë sllovene ‘Valicon’ — e cila është paguar nga GEN-I slloven me 33 mijë euro prej tetorit të vitit 2023 kur është regjistruar në Kosovë.
“Me gati tre javë të mbetura gjer në zgjedhje, VV është qartazi favorite dhe nuk mund të tejkalohet nga LDK a PDK. Hisja e projektuar e VV-së në vota sillet prej 40% deri më 59%, duke u varur nga faza e fundit e fushatës”, thuhet në analizën ku autorëve nuk u janë bërë të ditur emrat.
IFIMES-i zbulon ‘komplot’ nga gjyqësori e prokuroria
Por, përqindja fantastike nga 40 deri në 59 nuk është i vetmi ledhatim që Instituti slloven i bën partisë në pushtet në Kosovë.
Në pjesën e nëntitulluar “Sajimi i skandaleve është një temë e shpeshtë në Kosovë”, analiza e IFIMES-it ka shtyrë përpara skenarin për gjoja destabilitet të brendshëm me anë të sajimit të skandaleve të ndryshme politike.
“Ky trend është bërë veçanërisht i shprehur me ardhjen e Albin Kurtit (VV) në krye të qeverisë së Kosovës. Parti të caktuara të opozitës në Kosovë, në bashkëpunim me segmente të akterëve të jashtëm dhe një faksioni maskara brenda aparatit gjyqësor e prokurorial, po bëjnë çmos për të rrëzuar kryeministrin Kurti”, thuhet në analizë.
Çuditërisht, pohimet në fjalë nuk janë shoqëruar me asnjë dëshmi të vetme që do ta vërtetonte ‘komplotin’. Ato fshihen pas pohimit se “analistët besojnë që Albin Kurti ia doli të shkërmoqte një pjesë të ndjeshme të strukturave politiko-kriminale në Kosovë”.
Në të vërtetë, pikërisht gjatë mandatit të kryeministrit Kurti, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i bërë publik në prill të vitit të kaluar, pati alarmuar se ka “korrupsion serioz qeveritar”. Duke iu referuar vitit 2023, raporti amerikan kishte vënë re se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsion.
Serbët po bullgarizohen?
Një nënkapitull tejet i çuditshëm i analizës së institutit nga Lublana është ai që flet për ‘bullgarizimin’ dhe ‘katolicizimin’ në Kosovë.
Si shkas për të parin ka marrë “përpjekjet agresive të Bullgarisë” për gjoja targetimin e serbëve, boshnjakëve dhe goranëve për t’iu dhënë nënshtetësi bullgare.
“Procesi i bullgarizimit në Kosovë është përshpejtuar, ku Bullgaria po kërkon të legjitimojë kushtetutshmërisht praninë e bullgare brenda kuadrit demografik të Kosovës”, thuhet në analizë.
Halli i ‘analistëve’ të Lublanës është se qëllimi përfundimtar i Bullgarisë qenka për të fituar njohje zyrtare të pakicës bullgare dhe “për të tejkaluar me numra komunitetin serb”.
Opozita po i nxit konvertimet?
Larg më ambicioz me pretendimet e veta, IFIMES-i është sa i përket ‘katolicizimit’ të cilin e ka quajtur si trend në rritje.
Sipas analizës, “ky trend po shtyhet nga përpjekje të organizuara, të mbështetura nga akterë të caktuar ndërkombëtarë, për të shtuar numrin e katolikëve”.
Megjithatë, ky pohim nuk ilustrohet me fakte se cilët akterë ndërkombëtarë janë të përfshirë në këso përpjekje.
Puna e konvertimeve në Kosovë ishte bërë sivjet kryelajm në faqet “The New York Times”. Në artikullin e afishuar me 4 janar nga gazetari Andreë Higgins, ishte përmendur, midis të tjerash, akuza e përsëritur se mos Serbia e yshte një proces të tillë.
“Derisa Serbia prej kohësh akuzohet në dobësimin e stabilitetit të Kosovës, nuk ka asnjë dëshmi që ajo ka promovuar konvertimet”, ishte thënë në artikullin e së përditshmes prestigjioze amerikane.
Por, autorët e panjohur nuk ndalen me kaq. Ata, madje, kanë shkruar se disa nga krerët e opozitës në Kosovë janë konvertuar tinëz në katolicizëm.
“Megjithatë, disa krerë të opozitës në Kosovë janë konvertuar fshehtas në katolicizëm për të zhvatur favore në qarqe specifike të huaja, kurse, disa vjet më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama (PS) e ka përqafuar publikisht katolicizmin”, thuhet në analizë ku përsëri nuk ofrohet emri i asnjë politikani të opozitës që ka bërë një gjë të tillë.
Autorët, tutje, kanë vlerësuar se “ky është larg të qenit projekt dashamir”, duke alarmuar se projeksione të caktuara indikojnë se deri më 2050 katolikët mund të përbëjnë mbi 20 për qind të popullatës së Kosovës.
Martin, a je ti?
Por, ka një detaj edhe më interesant në analizë që tregon edhe kush mund të jetë autori ose së paku njëri nga ta.
Në tekstin e analizes, kryeministri Kurti lavdërohet deri në qiell se ka “potencialin dhe fuqinë politike për ta ruajtur unitetin brendashqiptar dhe t’i parandalojë ndasitë fetare mes shqiptarëve”.
Mu këtu është pjesa më e çuditshme e analizës ku sugjerohet që shqiptarët duhet t’i kthehen zbatimit të së drejtës kanunore.
“Shqiptarët duhet t’i rikthehen të drejtës zakonore shqiptare (Kanunit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit), e cila historikisht ka garantuar harmoni fetare dhe i ka adresuar çështjet e përkatësisë fetare mes shqiptarëve”, thuhet në këtë analizë.
Në kohën kur kërkesat e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar janë që të sigurohet sundim i rendit dhe ligjit, kjo është analiza e pare skandaloze që sugjeron rikthim të drejtësisë paralele, domethënë asaj kanunore.
Kjo sikur e zbulon edhe njërin nga autorët e analizës i cili ka shumë të ngjarë të jetë dora vetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ide të tilla për rikthim të kanunit, Berishaj i ka shpalosur ngaherë. Ato gjenden të artikuluara te libri i tij “Zhbërja e kufirit etnik”, i cili ishte botuar më 2017 nga shtëpia botuese ‘Toena’ në Tiranë.
Në faqet e këtij libri ku moralizohet për kufij e shtetndërtim, ai e mburr kanunin që, sipas tij, do ta pamundësonte zbatimin e eskterritorialitetit të Kishës Ortodokse Serbe.
“Po qe se klasa politike shqiptare do të kishte studiuar të drejtën zakonore shqiptare, do të përfillte nenin e parë të Kanunit të Lekë Dukagjinit (të kodifikuar nga Atë Shtjefën Gjeçovi), nuk do të ndodhte që sot, kisha serbe në Kosovë të thirret në eksterritorialitet të kishës ortodokse serbe, por tash edhe tokës kishtare (Metohisë!) brenda shtetit të Kosovës”, shkruante Berishaj në faqe 113 të këtij libri.
Megjithëse vetë autori është profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ai e glorifikonte kanunin dhe përfshirjen e tij në politikëbërje, anipse kanunorja është negacion i shtetit.
Po këtë libër, që tani është përfshirë në këtë analizë të IFIMES-it, Berishaj e kishte përuruar me 1 korrik 2017 në një hotel në Lubljanë, nën organizimin e po këtij instituti.
Propagandë e paguar nga inteligjenca e Serbisë
Deri më tani ka pasur vetëm pak reagime ndaj analizës së IFIMES-it.
Analisti politik, Agon Maliqi nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në ‘Facebook’, ka tërhequr vërejtjen se IFIMES është akuzuar edhe për lidhje me Moskën.
“Nuk e di se si dhe kur pati ndodhur saktë që njëfarë instituti i Lubjanës me emrin IFIMES e pati fituar njëfarë nami në Prishtinë si entitet i besueshëm i analizave politike. Kjo trafikë matrapazësh me 2-3 veta staf, që prodhon ‘njohuri’ në bazë të asaj se kush paguan më shumë, vitet e fundit është vërtetuar nga shërbimet perëndimore se ka pasur lidhje edhe me shërbimin sekret rus. Para pushtimit të Ukrainës pati dalë me disa analiza krejtësisht në linjën e Moskës dhe shpesh shërben si platformë për lansimin e dezinformatave ruse dhe serbe”, ka shkruar ai.
Sipas Maliqit, “mediat në Kosovë duhet të tregojnë kujdes në mënyrën se si i prezantojnë ‘gjetjet’ e këtij ‘instituti’, si dhe të parashtrojnë pyetje se kush financon dhe bashkëpunon me institute të tilla”.
Edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, e ka cilësuar analizën e IFIMES-it si propagandë të çmendur dhe të rrezikshme.
“Një think tank dhe propaganduese e afërt me regjimin e VV-së, po pretendon se Kosova ka problem me ‘bullgarizim’ dhe ‘katolicizim’ dhe se krerët e opozitës po ‘konvertohen fshehtas në katolicizëm’. Kjo mund të jetë paguar vetëm prej inteligjencës serbe”, ka shkruar Selimi në platformën ‘X’.
Institut i dyshuar në Slloveni e Kroaci
Në fakt, kredibiliteti i Intitutit Ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) është vënë në pikëpyetje jorrallëherë.
I themeluar më 2002, ky institut me qendër në Lubljanë pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.
Ana financiare e tij rezulton shpesh e dyshimtë, anipse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.
Kur mediat sllovene në shkurt të 2023-s patën ngritur këmbanat e alarmit për skandalin për shpërlarje parash, ku qe përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe emri i IFIMES-it ishte zënë në gojë.
Kështu në relacionin korruptiv mes GEN-I të Beogradit dhe Berishajt qëndronte edhe IFIMES-i që drejtohet prej kurdit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirovićit, i njohur për bindjet e tij të majta.
Në Slloveni e Kroaci prej kohësh analizat e IFIMES-it merren me rezervë; madje ato shpesh dalin në nivel spekulimesh të pastra.
Edhe anketat e kryera nga ky institut janë cilësuar si joserioze e gjithmonë favorizuese ndaj porositësve. Në Kroaci madje IFIMES-i ishte vlerësuar si prodhues analizash që kanë më tepër karakter spiunazhi sesa analizash.
Lidhja me Kureyevin dhe Moskën
Ana e errët e IFIMES-it është vënë në spikamë edhe nga e përjavshmja gjermane ‘Die Zeit’, e cila në maj të vitit të kaluar kishte bërë një analizë të titulluar“Propaganda aus Moskau”(Propaganda nga Moska).
Në këta analizë, gazetarët gjermanë trajtonin me shqetësim punën e operimit të agjentëve rusë në Austri. Në qendër të fokusit ishte edhe profesori boshnjak Anis Bajrektarević, i cili ka lidhje të shumta kudo në Evropë.
Si përfaqësues i IFIMES-it, më saktë si drejtues i Departamentit për Studime Strategjike, Bajrektarevići kishte shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar profesorë, studiues e polikanë të ndryshëm të cilët flasin në përputhje me narrativat ruse.
Sipas ‘Die Zeit’, profesori boshnjak kishte kontakt në Moskë me Artem Kureyevin.
Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, ai njihet si informator I shërbimeve ruse, madje ai kishte një rrjet propagande me të cilin rekrutonte luftëtarë për ushtrinë mercenare të Wagnerit.