Incidenti në stacionin ‘Jugu’: Polici që plagosi kolegen police suspendohet

Një incident i rëndë ndodhi sot në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, ku një polic ka plagosur një kolege zyrtare policore dhe dyshimet e para janë që rasti ka ndodhur aksidentalisht. Policja e lënduar është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetë, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe ka bërë të ditur se polici i dyshuar është suspenduar, ndërsa arma e zjarrit është konfiskuar.

“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.”

IPK në njoftimin e lëshuar tha se sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbit ka plagosur zyrtaren policore në këmbë.

Lexo edhe:  Sveçla akuzon Rakiqin: Po i armatos grupet kriminale brenda barrikadave