Incidenti në qebaptoren “Te daja” në Deçan, arrestohet i dyshuari për tentim vrasje
Një mosmarrëveshje mes dy personave në qebaptoren “Te Daja” në Deçan, të dielën në mbrëmje, ka eskaluar në rrahje dhe therje me thikë. Një 59-vjeçar u godit me mjet të mprehtë dhe për pasojë përfundoi në spital, ndërsa i dyshuari i cili fillimisht u arratis, tashmë është kapur nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari Enis Boshtraj, 46-vjeçar, është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe është shoqëruar në stacion policor lidhur me rastin për të cilin dyshohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Boshtraj po dyshohet se fillimisht ka pasur një kacafytje me viktimën (emër i njohur për redaksinë) dhe më pas të njëjtin dyshohet se e ka therur me një brisk.
Për pasojë, viktima është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Pejë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.