Incident në trafik në Prishtinë: Shoferi sulmon gruan të cilës ia ‘grithi’ veturën, përfundon në pranga

Shkeljet që bëhen në komunikacion nga shoferët, shpesh përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një aksidenti të vogël në trafik, ku një person dyshohet se ka ‘prekur’ me veturën e tij një veturë tjetër.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari këtë veprim e ka bërë qëllimshëm dhe për këtë arsye ajo ka dalë nga vetura që të kërkojë sqarime nga ai.

E gjithë drama dyshohet të ketë filluar në atë moment, pasi 35-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar shoferen me të cilën pati problem dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur që pas disa ditësh ta identifikojnë të yshuarin dhe i njëjti është intervistuar në Polici lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Sulm’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

 

Lexo edhe:  Hoxha: Nuk u martova për pasion e epsh, por për humanizëm – e strehova një vajzë