Imzot Bianco emërohet delegat Apostolik për Kosovë
Kryeipeshkvi nga Montemagno e Italisë, Imzot Luigi Bianco, ka lënë Nuniçaturën Apostolike në Ugandë, pasi është caktuar nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovë nga Papa Leoni XIV.
Delegati i parë Apostolik në Kosovë, Nunci Apostolik në Slloveni, ishte emëruar Imzot Juliuz Janusz, më 10 shkurt 2011 nga Papa Benedikti XVI.
Me atë rast, në një shënim nga Zyra e Shtypit në lidhje me detyrën e Delegatit Apostolik në Kosovë thuhej se emërimi i një Delegati Apostolik hyn në funksionet e organizimit të strukturës së Kishës Katolike dhe sipas tyre, merr karakter thjesht brenda-kishtar.
“Emërimi i një Delegati Apostolik hyn në funksionet e organizimit të strukturës së Kishës Katolike dhe, për rrjedhojë, merr karakter thjesht brenda-kishtar, duke mbetur krejtësisht i ndarë nga konsideratat që lidhen me situatat juridike dhe territoriale ose nga çdo çështje tjetër që lidhet me veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë”.
“Misioni i një Delegati Apostolik nuk është i natyrës diplomatike, por i përgjigjet nevojës për të ndihmuar në mënyrë të përshtatshme nevojat baritore të besimtarëve katolikë”, thuhej në shënimin e Zyrës së Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Kujtojmë se ditë më parë është zgjedhur edhe Papa Leoni XIV.