Identifikohen autorët, çka dihet deri më tani për plagosjen në orët e natës në Prishtinë

Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:20, në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Nga Policia e Kosovës, i kanë thënë gazetës online Reporteri.net se bëhet fjalë për dy të plagosur njëri prej të cilëve dyshohet se pësoi lëndime nga arma e zjarrit.

“Rreth orës 20:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Qamil Hoxha në Prishtinë. Bazuar në informacionet e para raportohet për dy persona të lënduar, njëri nga ta dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit”, tha zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

“Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë”, thanë nga policia.

Të plagosurit mbrëmjen e së hënës në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë i përkasin moshës 20 dhe 22 vjeçare.

Të dytë, janë duke u trajtuar në Emergjencën e QKUK’së.

Gjendja e tyre është stabile, konfirmoi drejtori i Emergjencës, Naser Syla.

Njëri nga ta është i plagosur me armë zjarri e tjetri me mjet të mprehtë.

“Njëri është I plagosur me armë zjarri ndërsa tjetri me mjet të mprehtë. Gjendja është stabile e të dyve. Pas ekzaminimeve të kryera, I plagosuri me armë zjarri do të pranohet në kliniken e Ortopedisë për trajtim të mëtutjeshëm, kurse tjetri do të lëshohet për trajtim në shtëpi”, tha Syla.

Të dyshuarit për këtë rast janë identifikuar dhe Policia është në kërkim të tyre.

Lexo edhe:  Sot paraqiten keqpërdorimet flagrante në njësitë për patentë shofer gjithandej Kosovës