Ia pa sherrin Tik Tok-ut: Ky është i riu që u dërgua në mbajtje pasi gjuajti me armë në një dasmë në Suharekë

Pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka nisur së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Përveç kontrolleve në pika të ndryshme gjithandej vendit, Policia shumë shpesh po del të jetë “mysafiri” i paftuar në shumë ahengje, ku festohet me armë, raporton Gazeta Sinjali.

Jo rrallëherë raste të tilla të zbulohen edhe përmes rrjeteve sociale, siç ka ndodhur me rastin e fundit në Suharekë, ku Polici e ka arrestuar një person që dyshohet se gjuajti me armë në një dasmë dhe pamjet u publikuan në Tik Tok.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Albrim Kuqin, i cili përfundoi në ndalim policor. nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorimi i armës’.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se arma e të dyshuarit është sekuestruar.

“Stacioni Policor në Suharekë falë bashkëpunimit me qytetar, në bazë të informatave të marra nga një video në Tik tok, me datë 21.08.2022 ka arrit të identifikoj një të dyshuar i cili kishte shtënë me armë –pistoletë në një gazmend familjar me datë 09.08.2023.

Pas identifikim i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit i njëjti është ndalur në ndalim policor për 48 orë.

Të dyshuarit i është sekuestruar një armë Pistoletë Zoraki me një krehër të zbrazët.

Në këtë rast janë filluar hetimet për veprat penale “ Mbajtje në pronësi kontroll, posedim apo shfrytëzim ia pa autorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës”.

Ndryshe, kosovarët si ‘merakli të armëve’, ato i përdorin shpesh edhe në ahengjet familjare, përmes së cilës shprehin ‘gëzimin’ e tyre për një ngjarje të caktuar. E kjo përpos që është dukuri e shpeshtë dhe e kundërligjshme, shumë herë është edhe e rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.

Lexo edhe:  Vdes avokati i njohur Shefki Sylaj

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.