Ia morën pacientit afër 500 euro për një ndërhyrje – arrestohet anesteziologu dhe kirurgu nga Gjilani

Është arrestuar një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, nën dyshimin se kanë marrë ryshfet në vlerë 430 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

Sipas policisë, thuhet se përveç anesteziologut i cili kishte marrë 100 euro ryshfet, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe kirurgu i cili kishte marrë ryshfet në vlerë 330 euro. I njëjti kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë”, thuhet në njoftim.

Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar.

“Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Llapjanit i vidhen kosheret me bletë brenda të cilave kishte rreth 300 kg mjaltë