I riu në Vushtrri kapet duke prerë dru ‘të shtetit’, kërcënon rojën e pyllit: Veç mos dalsh nesër në qytet
Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në Kosovë. Persona të ndryshëm kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, të cilët më pas i zë sherri me të dyshuarit.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Kollë të Vushtrrisë, ku një person është kapur me duke prerë dru të cilat janë në pronë shtetërore.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbuluar detaje nga denoncimi i rojës së pyllit në organet e hetuesisë, i cili ka pohuar që 26-vjeçari e ka kërcënuar se nuk guxon t’ia marrë drutë e as t’i shqiptojë gjobë.
I njëjti dyshohet t’i ketë thënë se do ketë punë me të dhe s’do arrijë t’i ikë, përpos nëse nuk del fare në rrugë.
Njësitet policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje që ta kapin personin e dyshuar, teksa traktori me drutë e prera është konfiskuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’.