I riu hyn të vjedh në shtëpinë e xhaxhait, familja e kap në flagrancë
Vjedhjet nëpër shtëpi e banesa janë bërë një fenomen mjaft shqetësues. Në shumicën e rasteve hajnat depërtojnë me forcë dhe marrin shuma të mëdha parash dhe gjësende me vlerë. Kështu ia kishte mësyrë edhe një 21-vjeçar në Nekoc të Drenasit shtëpisë së një familjarit, por u kap në flagrancë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për dallim nga shumica e rasteve të tjera, këtë herë i dyshuari doli të jetë i njohur për familjen që e raportoi rastin. Siç mëson Sinjali, viktima raportoi se djali i xhaxhait iu kishte hyrë në shtëpi ku ka marrë disa para dhe në momentin që kishte vendosur të largohej, ata e kishin zënë në shtëpi.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar personi i dyshuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.