I rikthejnë në Gjermani pasagjerët e aeroplanit të nisur për në Prishtinë që u detyrua të ndalej në Beograd
Një aeroplan i nisur nga Hamburgu i Gjermanisë për në Prishtinë, u detyrua të aterrojë në Beograd, pas një problemi teknik, raportoi sot “Jepi zë”, duke publikuar një video nga aeroporti “Nikola Tesla”.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njofton se para mesnates, pasagjerët e këtij fluturimi janë marrë me një aeroplan tjetër, i cili u nis për në qytetin Këln të Gjermanisë.
Ai tutje thotë se do të organizohet fluturimi i cili do të sjellë ata udhëtarë në Prishtinë.
Njoftimi i plotë i ministrit:
Informatë në lidhje me fluturimin e sotëm Hamburg – Prishtinë (Flt.EW5704)
Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të aterrojë ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd.
Operatori ajror Eurowings, menjëherë ka organizuar dhe ka dërguar një aeroplan alternativ (Flt. Nr. EW6005) i cili ka marrë udhëtaret e mbetur në aeroportin e Beogradit, dhe në ora 22:56 ka fluturuar me udhëtarët e njëjtë për në qytetin e Köln në Gjermani, ku pritet të aterrojë rreth orës 00:45 pas mesnatës.
Autoritetet shtetërore të Kosovës në kordinim me aeroportin e Prishtinës kemi qenë në komunikim dhe kordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror Eurowings për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve tanë që ishin në këtë fluturim.
Fluturimi i udhëtarëve për në Kosovë do të organizohet menjëherë më tutje nga operatori ajror sipas procedurave te aplikuara në raste të tilla.
Informata me të detajuara në lidhje me rastin do të marrim nga operatorin Eurowings në ditët në vijim.