I njohur si diller i narkotikëve në Ferizaj, ky është i riu që përfundoi në prangat e Policisë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe të hënën në mbrëmje ra në prangat e Policisë një person në Ferizaj, i dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të drogës, raporton Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i arrestuari është Xhema V., rreth 17-vjeçar, i njohur për Policinë si diller i narkotikëve.

I mituri u kap në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku fillimisht rezistoi, por zyrtarët policorë arritën ta prangosin dhe ta shoqërojnë në Polici.

Te i njëjti, u gjet një sasi me substancë narkotike të llojit marihuanë, që u konfiskua si provë materiale

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj, me ç’rast është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar vendim të masën e ndalimit policor.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar: tri paketime  foli alumini me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë 1.15 gram. I dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar dhe si pasojë lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policorë të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.  Me vendim të prokurorit,  i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Lexo edhe:  Humb jetën spanjolli në Divjakë, dyshimet e para