I mituri terrorizon një vajzë në mes të rrugës në Fushë Kosovë, e kap për flokësh dhe ia grabit telefonin e paratë

Rastet e vjedhjeve e grabitjeve ndaj qytetarëve, shtëpive private e bizneseve të ndryshme, janë rritur në shifra shqetësuese. Qytetarët madje shpesh përballen drejtpërdrejtë me të dyshuarit, ku përpos dëmeve e humbjeve materiale që pësojnë, u rrezikohet edhe jeta.

Kështu ka vepruar edhe një i mitur në Fushë Kosovë, i cili dyshohet se ka terrorizuar një vajzë e cila po ecte rrugës.

Sinjali mëson se mbrëmë rreth orës 19:25 në rrugën ‘Nëna Terezë’, i dyshuari i ka dalë para dhe ka kapur për flokësh 22-vjeçaren, të cilës ia ka grabitur telefonin mobil dhe një shumë parash të cilat i mbante në mbështjellësin e telefonit.

Ajo ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar nga i mituri, e po ashtu ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Pas veprimeve hetimore të Policisë, është arritur që të identifikohet personi i dyshuar, i cili telefonin që kishte vjedhur e kishte shitur te një person i tretë.

16-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa viktimës i është kthyer telefoni që iu vodh.

Lexo edhe:  Burrë e grua rrahin njëri-tjetrin, Policia tregon arsyen e eskalimit të çiftit