I kërkuari me 217 vepra penale në duart e Policisë, për çka akuzohet Qazim Kamberit

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri. Pothuajse në shumicën e rasteve, personat e përfshirë dalin të jenë recidivistë të veprave të kësaj natyre dhe jo vetëm. Njëri ndër hajnat që ishte në kërkim nga Policia e Kosovës për disa ditë me radhë tashëm është prangosur.

Historia kriminale e 40-vjeçarit të arrestuar lidhet me hiç më pak se 217 raste për vepra të ndryshme, që ekzistojnë në dosjen e tij në Polici.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Qazim Kamberin nga Vranjevci (lagje në Prishtinë), ndaj të cilit është urdhëruar masa e ndalimit policor të mërkurën.

Policia ishte vënë në ndjekje të tij që nga 30 marsi, për shkak të përfshirjes në disa raste të vjedhjeve në rajonin e Prizrenit, konkretisht në Suharekë – por fillimisht nuk kishin arritur ta kapnin.

Sipas informacioneve të para, 40-vjeçari ishte në dijeni që Policia është vënë në lëvizje për ta arrestuar dhe ia doli të qëndrojë në arrati, përkundër që edhe njësitë policore të Policisë Rajonale në Prizren, zbarkuan në kryeqytet në kërkim të tij.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti i fundit për të cilin ishte në kërkim Kamberi është një vjedhje e rëndë që ishte kryer më 29 mars, në një shtëpi në fshatin Sopijë në Suahrekë.

40-vjeçari po dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, ku dyshohet se janë vjedhur stoli ari në vlerë të mijëra eurove, armë e pajisje të tjera, duke shkaktuar kështu dëme të konsiderueshme.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

Denoncimi i rastit nga pronari i shtëpisë kishte aktivizuar Policinë dhe si rezultat Kamberi është identifikuar si person që ka gisht në këtë rast dhe jo vetëm.

Hetimet ndaj tij kanë nisur edhe për një rast tjetër, po ashtu vjedhje e rëndë që dyshohet se lidhet me rastin e fundit.

Pasi është siguruar prezenca e të dyshuarit, Prokuroria Themelore në Prizren pritet të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe siç ndodhë rëndom në raste të tilla, Gjykata do ta aprovojë, edhe për faktin që i dyshuari ka të kaluar kriminale.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja pasi Gjykata ta marrë një vendim lidhur me rastin.