I gjendet botoks në vlerë të 150 mijë eurove, arrestohet shtetasi turk në Prishtinë

Klinika të ndryshme dhe qendra estetike aplikojnë botoks te pacientët e tyre në Kosovë, disa prej të cilave është raportuar vazhdimisht se janë të pasigurta.

Për një rast të tillë është arrestuar edhe shtetas turk në Prishtinë. Ai është kapur për “prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore”.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka gjetur tek ai botoks në vlerë rreth 150 mijë euro.

Po ashtu, i kanë sekuestruar edhe 11,160 euro para kesh. I dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas sigurimit të provave ka ndaluar një të dyshuar mashkull shtetas turk, tek i cili kanë gjetur një sasi  të materialit që përdoret në mjekësi (botoks)”.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një sasi tjetër e materialit të njëjtë që është sekuestruar nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë. Vlera totale e materialit të sekuestruar sipas çmimit në treg sillet rreth 150 000 €”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:  Përplaset autobusi me turistë serbë, katër të vdekur dhe 48 të lënduar