I dyshuari për therjen e 45-vjeçarit është pjesëtar i FSK-së, biri i një nënkoloneli të Policisë

Një mosmarrëveshje në trafik mes dy personave sot rreth orës 17:30 në afërsi të Qendrës Tregtare në Kodrën e Diellit eskaloi në sulm fizik ndaj 45-vjeçarit, G.B. ai dyshohet se u ther disa herë me thikë nga i dyshuari, i cili fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u vetëdorëzuar më vonë në stacion të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i dyshuari është Fitim Krasniqi, 28-vjeçar.

Krasniqi që është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se ka goditur së paku gjashtë herë me thikë viktimën të cili i ka shkaktuar lëndime serioze dhe më pas ka ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

45-vjeçari menjëherë është dërguar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Diellit, ku i është ofruar ndihma e parë e më pas për shkak të natyrës së lëndimeve, i njëjti është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sinjali mëson nga burimet brenda QKUK-së se viktima ka pasur plagë të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë në shpinë, kraharorë dhe këmbë. Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

E pas gati dy orësh, Krasniqi është paraqitur në stacion policor dhe i njëjti është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin dhe shumë shpejt pritet që të merren veprime ligjore ndaj tij.

Krasniqi po ashtu është djali i nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Haxhi Krasniqi.

Ai bashkë me djalin tjetër të Haxhiut dhe tre persona tjerë, ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2020 nën dyshimet për sulm fizik ndaj zyrtarëve policorë te rruga ‘B’ në Prishtinë.

Lexo edhe:  Përfundon vizita e prindërve të Thaçit në Hagë, flet babai: Po na merr malli, ata e kanë vendin në Kosovë