I dyshuari për sulmin seksual ndaj 13-vjeçares në Prizren së shpejti para Gjykatës, kërkohet paraburgim

I dyshuari për sulm seksual ndaj një vajze të mitur në Prizren shumë shpejt pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Alban Gashi, i arrestuar pas denoncimit të këtij rasti të rëndë, tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali raportoi të martën se kanë nisur hetimet lidhur me rastin, teksa një gjë e tillë sot është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Zëdhënësja Fitore Mehmeti, në një përgjigje për Sinjalin tha se brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për paraburgim.

“Referuar pyetjeve tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, personi i dyshuar A.G. Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera.” – thuhet në përgjigje.

Ndryshe, rasti u zbulua pas denoncimit të rastit nga babai i 13-vjeçares, i cili ka raportuar se gjithë ngjarja ka ndodhur derisa e bija po shkonte në një shitore të lagjes, kur i dyshuari ishte ndalur dhe e kishte marrë vajzën në veturën e tij.

Gashi u identifikua falë pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë dhe më pas i njëjti është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Lexo edhe:  Policia kap një “hajn të rëndë” në Mitrovicë, mësohet çfarë vodhi