I dyshuari për krimin në Pejë, ishte denoncuar edhe më parë për dhunë ndaj ish-bashkëshortes

Emri i të riut, Urim Hyseni, tash e dy ditë është kryefjalë në mediat vendore dhe atyre matanë kufirit. Kjo pasi që ai dyshohet se në mënyrë makabre privoi nga jeta nënën e tij 58-vjeçare, Hyrije Broqi Hyseni, duke ia prerë kokën e më pas duke ia pirë gjakun.

Deri dje Hyseni ishte i panjohur për publikun, por jo edhe për organet e drejtësisë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 31-vjeçari edhe më parë kishte telashe me ligjin. Ai ishte denoncuar vitin e shkuar nga ish-bashkëshortja e tij për dhunë në familje.

Si pasojë, Hyseni kishte përfunduar në stacion policor si i dyshuar, mirëpo me qëllim të ruajtjes së privatësisë së ish-bashkëshortes, Sinjali nuk do të shpalosë më shumë detaje lidhur me rastin.

Ndërkohë sot atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh si i dyshuar për vrasje të rëndë ndaj nënës së tij.

Aktin çnjerëzor ai dyshohet se e kreu në shtëpinë e familjes Hyseni në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, ku koka e të ndjerës u gjet në bodrumin e shtëpisë, ndërsa trupi në katin e parë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Lexo edhe:  Kurti dhe Aliu: Autostrada Prishtinë-Gjilan kryhet sivjet