I dënuari me rreth 4 vjet burgim për grabitje e armatosur, dyshohet se ndodhet te vëllai në Gjermani
Gazeta Sinjali raportoi të hënën se njëri nga katër të dënuarit për grabitjen e armatosur më 12 qershor 2022, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, nuk është duke e vuajtur dënimin por po e shijon lirinë nga arratia. Ndaj Gzim Pulajt, i dënuar me rreth 4 vjet burgim, tashmë është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.
Kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren.
“I dënuari G.P., nuk ka respektuar thirrjet dhe Urdhëresat e Gjykatës, është në arrati, dhe ndaj tij ka URDHËRARREST, Letër RRESTHIM vendor, dhe Letër RRESHTIM ndërkombëtar.”
Sinjali ka mësuar se Pulaj dyshohet se nuk ndodhet fare në Kosovë. Sipas sinjalizuesve, i riu ia ka mbathur në Gjermani, ku kishte shkuar te vëllai i tij.
Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga fotografitë e publikuara në rrjete sociale, ku Pulaj shihet bashkë me të vëllain.

Ky aktgjykim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit me 10 shkurt të vitit 2023.
Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se Pulaj ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 2 mijë eurove, por i njëjti është arratisur.
“Të akuzuarin G.P., për veprën penale Grabitje kryer në bashkëkryerje shqipton DËNIM ME BRUGIM në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj dhe DËNIM ME GJOBË në lartësi prej 2000 € (dy mijë euro).”
Sinjali ka mësuar se ndaj Pulajt ekziston edhe një urdhëresë aktive për një rast tjetër, për të cilin ishte dënuar me burgim.
Gzim Pulaj dhe tre të akuzuarit e tjerë Luan Bytyqi, Sefer Krasniqi dhe Drilon Saramati kanë qëndruar nën masën e paraburgimit prej 15 korrikut 2022, kur u kapën pas një muaji në arrati e deri më 05 shtator 2022.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast në korrik të atij viti, kur u zbulua se kush mori pjesë në grabotje dhe çfarë roli kishte secili prej tyre në ‘aksion’.
Gjatë grabitjes, rolin e klientit i cili kishte hyrë paraprakisht në market për të vëzhguar situatën, ishte Luan Bytyqi. Në pamjet e publikuara atë kohë nga Sinjali, ai shihet duke kishte blerë një produkt që ndodhej tek arka dhe më pas largohet që aty, për të njoftuar shokët e tij se ‘terreni’ është i lirë dhe mund të kryhet grabitja.
Më pas, në market kishte hyrë i dyshuari kryesor i cili mbante armën në dorë, Sefer Krasniqi, i shoqëruar nga Drilon Saramati, që mori paratë nga arka. Ndërsa ‘roje’ kishte bërë jashtë Gzim Pulaj.