I arrestuari për shpërthimin në Mitrovicë ikë para syve të Policisë posa e dërgojnë te Qendra e Paraburgimit

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, nga stacionet policore, apo nga vetura zyrtare.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në fshatin Pasjak të Gjilanit, ku zyrtarëve policorë të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë, iu ka ikur një i dyshuar nga vetura zyrtare, derisa po e dërgonin në qendër të paraburgimit, për shkak se iu ishte caktuar një muaj paraburgim.

Burimet thonë se rasti ka ndodhur dje pasdite edhe i dyshuar është Arjan Delijaj, ndaj të cilit Gjykata kishte marrë vendim për t’ia caktuar masën e sigurisë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

I njëjti ka arritur që të largohej teksa vetura posa kanë arritur te Qendra e Paraburgimit dhe ia ka mbathur në një drejtim të panjohur.

Policia është vënë në kërkim të tij, por akoma nuk e kanë kapur të dyshuarin.

I njëjti u arrëstua pasi dyshohet par shpërthimin me granatë dore te lokali “Gusto” në Mitrovicë, që kishte ndodhur para dy muajsh.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, teksa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

“Arratisja e personit të privuar nga liria dhe Sulm ndaj personit zyrtar. Lidhur me rastin e raportuar është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente”, ka njoftuar PK-ja.

Lexo edhe:  Vetura rrotullohet në mes të rrugës Prishtinë-Mitrovicë