I arrestuari për shitblerje të drogës në Prizren del para Gjykatës, ky është vendimi për masën e sigurisë

I dyshuari për shitblerje të drogës që u kap javën e kaluar pas një aksioni të Njësisë së Antidrogës në Prizren ka dalë para Gjykatës. Gazmend Domgjoni, i cili njihet si diller i substancave narkotike është përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.

Siç merr vesh Sinjali, pas seancës dëgjimore që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, është marrë vendim për masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Domgjoni, i cili ka të kaluar kriminale, për shkak të rasteve tjera, tashmë do të hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndryshe, 50-vjeçari u arrestua më 26 janar në rrugën “Mark Krasniqi”, në Prizren, pasi në veturë i është gjetur një sasi e kokainës.

Pas përfundimit të procedurave, Domgjoni u ndalua për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe brenda këtij afati është ushtruar kërkesa për masën e paraburgimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Një grua në Obiliq raporton se është dhunuar në motel