I arratisuri nga Stacioni Policor në Gjakovë ishte në arrati si i dënuar për narkotikë

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë, ku një person i dënuar me burgim ka arritur të arratiset nga Stacioni Policor, duke ekspozuar një dështim serioz në sistemin e ndalimit dhe mbikëqyrjes.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se i arratisuri ishte kapur nga Policia për zbatimin e një vendimi gjyqësor për vuajtje dënimi, por procedura e ekzekutimit është komplikuar për shkak të mungesës së koordinimit mes institucioneve korrektuese.

Fillimisht, policia e kishte dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, por për shkak se nuk ishte pranuar pa vendim të zbatuar, ai ishte dërguar më pas në Mitrovicë – ku sërish është refuzuar pranimi.

Si pasojë, është marrë vendimi që përkohësisht të kthehej në Stacionin Policor të Gjakovës, në pritje të urdhrit përfundimtar të zbatimit të dënimit.

Pikërisht në këtë fazë ndodhi arratisja.

Sipas burimeve, gjatë kohës sa qëndronte në stacion, i dënuari kishte kërkuar të shkonte në banjo. Policia ia kishte lejuar lëvizjen, por pa mbikëqyrje adekuate. Ai kishte shfrytëzuar momentin për t’u larguar në heshtje nga objekti, pa u vërejtur menjëherë nga zyrtarët në detyrë.

Vetëm pas disa minutash mungesa e tij u konstatua dhe u ngrit alarm i plotë në stacion, duke aktivizuar njësi të shumta në kërkim. Pas disa orësh kërkimi intensiv, policia arriti ta kapë sërish të arratisurin dhe ta rikthejë në mbajtje.

Rasti tashmë ka hapur diskutime serioze brenda zinxhirit komandues në Policinë e Gjakovës, dhe priten masa hetimore dhe disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës për këtë dështim procedural.

Ky incident është një sinjal alarmi për gjendjen e koordinimit ndërinstitucional dhe menaxhimin e sigurisë në rastet e ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për të dënuar me vendim të formës së prerë. Sinjali po ndjek zhvillimet dhe do të sjellë detaje të reja sapo ato të konfirmohen

Lexo edhe:  “Mulliri i xhindëve” – Qytetari tregon historitë e frikshme të këtij vendi