Hovenier: Serbia i ka bërë kërkesë zyrtare Kosovës për ndihmë juridike për Radoiçiqin

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se pritjet e tyre janë që të gjithë të përfshirët në sulmin terrorist në Banjskë të japin përgjegjësi.

Hovenier tha pjesë e diplomacisë amerikane me Serbinë kanë qenë edhe pritjet e tyre që terroristi Millan Radoiçiq dhe autorët e tjerë të mbajnë përgjegjësi.

“Kjo vazhdon të jetë pjesë e bisedës sonë dhe shpresojmë ta shohim të ndodhë së shpejti. Dëshiroj të vë në pah se sipas mendimit tim, Kosova mund të ndihmojë për këtë”.

“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare”.

“Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, tha Hovenier për Radio Evropa e Lirë.

Më tej, Hovenier tha se presin që Serbia t’i përmbushë gjërat që vetë ka thënë se do t’i kryejë, e sipas tij, kjo përfshin që Radoiçiq dhe autorët e tjerë të Banjskës, të japin llogari për krimin e bërë.

Lexo edhe:  Tri objekte që Serbia po ndërton në veri të Kosovës, “pa leje”