Hoti: LDK tani është pro tërheqjes së një sasie mjetesh nga Trusti

Duke folur për krizën ekonomike në vend, ish kryeministri Avdullah Hoti, u ndal tek mundësia që qytetarët të tërheqin edhe një sasi të mjeteve financiare nga Trusti Pensional.

Ai tha se tërheqja e mjeteve nga Trusi nuk është zgjidhje e problemit, sepse kriza e tanishme nuk është e njëhershme sikurse në kohën e pandemisë.

“Atëherë është dashur të izolohen njerëzit e s’kanë pasur paga dhe duhej të ndihmoheshin”, thotë Hoti në “RTK Prime”.

“Kriza e tanishme është e vazhdueshme, inflacioni po vazhdon, rënia e të ardhurave po vazhdon. Prandaj kërkohen masa të vazhdueshme”.

Sipas ish ministrit të Financave, në fillim, LDK, parti në të cilën bën pjesë, kishte kundërshtuar tërheqjen e parave nga Trusti Pensional e kjo ka ndodhur në fillim të këtij viti.

“Atëherë kemi propozuar listë të masave për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Por asnjë masë nuk është marrë nga qeveria”, thotë Hoti.

Në këtë rast, ai thotë se qeveria nuk ka bërë lëvizje të normave tatimore, pagave, akcizës, pensioneve etj.

“Këto që po bën qeveria, janë shtesa të njëhershme, por jo ndryshime e mbështetje e vazhdueshme”.

Ish kryeministri i vendit deklaron se duke parë gjendjen, kjo situatë e ka shtyrë LDK-në që tani t’i japë mbështetje idesë edhe për një tërheqje të parave nga Trusti.

“Nuk ka asnjë masë tjetër që qytetarët të përballojnë krizën”.

Ai rikujton se një herë është anuluar iniciativa e parë, por tani ka ardhur në Kuvend si kërkesë e qytetarëve për t’u shqyrtuar në procedurat e Kuvendit.

“Besoj se duhet të konsiderohet dhe duhet të ulemi e të bisedojmë”.

Hoti deklaron se nuk e di nëse 30% është zgjidhja, por i ka kërkuar me kohë, siç është vepruar në vitin 2020, kur është ndërmarrë kjo masë.

Lexo edhe:  Çka po ndodh? Mbyllet para kohe aplikimi për subvencionim për izolimin e shtëpive

“I kam kërkuar Trustit dhe Ministrisë së Financave që të bëjnë analizat e nevojshme për nivelin e tërheqjes, që të mos ndikohen shumë negativisht, planet e investimeve të Trustit”.