Hodhi sprej dhe iku, ky është i riu që tmerroi klientët në ‘Hib Petrol’ – arrestohet nga Policia

Gazeta Sinjali raportoi dje për një incident që ka ndodhur në pompën e derivateve ‘HIB Petrol’ në Gjilan, mbrëmë pas mesnate ku disa klientë janë përballur me një ngjarje të pazakontë.

Klientët u alarmuan kur dikush dyshohet se hodhi sprej dhe për pasojë iu shkaktoi telashe shëndetësore në frymëmarrje dhe të vjella. Burimet thonë se i dyshuari që shkaktoi rrezik në këtë lokal tashmë është arrestuar dhe ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim.

Siç mëson Sinjali, personi që u identifikua nga Policia është Lumbardh Kqiku, cili po dyshohet se ka hedhur sprej derisa ishte në lokal bashkë me vëllezërit e tij. Për motive akoma të panjohura ai ka spërkatur me sprej në dyshime, me ç’rast ka tmerruar personat që ndodheshin brenda.

Pas arrestimit, 30-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit nga hetuesit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ndryshe, Gazeta Sinjali raportoi për këtë rast, ku Policia kishte intervenuar mbrëmë pas denoncimit, me ç’rast ishin evakuuar qytetarët e pranishëm. Po ashtu atje ka shkuar edhe ekipi mjekësor i Emergjencës, të cilët u kanë ofruar ndihmë nëntë personave të cilët ishin në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Lexo edhe:  Tre të vdekur sot në plazhet e Shqipërisë, dy prej tyre kosovarë