Historike: Kosovari nga Mitrovica zgjedhet kryetar i një komune në Gjermani
Arianit Besiri nga Mitrovica, ka shkruar histori me fitoren e tij në zgjedhjet lokale në Gjermani.
Ai i ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz, duke u bërë kështu kryetar i asaj komune.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se fitorja e Besirit shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane.
“Një lajm i mrekullueshëm nga diaspora jonë! Fitorja e Arianit Besirit në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz shënon një moment të veçant, jo vetëm për mërgatën tonë në Gjermani, por edhe për integrimin e tyre. Marrja e 60.2% të votave në një komunë gjermane me rreth 11,000 banorë është një dëshmi e qartë e besimit dhe mbështetjes që Arianiti ka fituar nga komuniteti lokal”, ka shkruar Ajeti.
Mes tjerash, ai ka bërë të ditur se Arianit Besiri prej vitesh është i angazhuar në politikën gjermane.
Ai ka qenë vetëm një vjeç kur familja e tij është shpërngulur nga Kosova në Gjermani si pasojë e represionit serb.