Hamza: Është treguar në rastin e Mitrovicës, besoj se do të marrë vota edhe nga partitë e tjera

Kryetari i Mitrovicës, tashmë kandidat për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se sikurse në zgjedhjet lokale, beson se ai si politikan do të votohet edhe nga votues të partive të tjera.
“Unë besoj se do të marrë vota edhe prej partive të tjera politike. Do të flasë edhe me njerëz të Vetëvendosjes. Nuk janë njerëz të betonuar, ‘kam votuar njëherë kështu dhe më nuk kthehem’. Kthehet, por ti duhet ta bindesh, t’i qasesh me respekt, me mirësjellje. Por e respektoj edhe atë që mendon ndryshe”, ka thënë Hamza në RTV Dukagjini, transmeton Jepi zë.
Hamza tutje ka thënë se nuk është njëri që i shan ata të cilët janë kundër tij, duke thënë se “të pastër, të mirë, të drejtë”, mund të jenë edhe ata që janë kundërshtarë të tij.
Hamza, i pyetur nëse e mund Kryeministrin e tanishëm, Albin Kurtin, ka thënë se del në zgjedhje të marrë vota me një program që mund të realizohet, pasi, sipas tij, kjo Qeveri nuk ka realizuar ato që ka thënë se do t’i bëjë.
“Ne dalim në zgjedhje me e fitu besimin e qytetarëve të Kosovës. Ne dalim në zgjedhje me fitu sa më shumë vota, dalim në zgjedhje me program të qartë, me premtime të qarta, të matshme. E themi atë që e bëjmë, jo me thënë dicka, e mos me e bë. Nëse e marrim qeverinë aktuale, prej nivelit politik jo negociata, kushte, kërkimfalja, adresimi i personave të, dëmet e luftës, asnjë prej tyre nuk është plotësu”, ka thënë Hamza. /Jepi zë.
Lexo edhe:  Policia e shpëton personin që deshi t’i japë fund jetës së tij te Penda e Livoçit