Hamza dhe Haradinaj të prerë, nuk duan koalicion me VV-në edhe nëse Kurti ua ofron postin e kryeministrit

Partitë opozitare janë shprehur të vendosura që të mos bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Udhëheqësit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se me asnjë çmim nuk duan bashkëpunimin me partinë në pushtet.

Madje, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza dhe kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me VV-në edhe nëse Kurti ua ofron postin e kryeministrit.

Një gjë të tillë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka thënë mbrëmë në emisionin “Pressing”.

I pyetur nëse i shkon në takim Kurtit për postin e kryeministrit, ai e ka mohuar një gjë të tillë.

“Putinit a? Jo, unë ju tregova si ia kam ngjit emrin. Unë s’ia jap dorën ka një vit këtij njeriu. Nuk e përshëndeti, edhe në takime edhe në ngjarje publike gjithkund, nuk e pëshendeti. Do të isha kryetar i një qeverie të pakicës. Me shku njëri nga ne me Kurtin, ai ka shumicë të votave, ti varesh nga vota e tij dhe s’je kryeministër, unë atëherë do të isha kryeministër i Vetëvendosjes, e jo i Kosovës më”, ka deklaruar ai.

Një ditë më parë, edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mohuar çdo mundësi të bashkëpunimit me VV-në.

Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe nëse Kurti dhe VV-ja ia ofrojnë postimin e kryeministrit.

“Është punë e mbyllur, nuk është problemi te posti i kryeministrit. Nuk është kërkesa që dikush prej PDK-së në këtë rast unë me qenë kryeministër. Unë jam I gatshëm me marrë përgjegjësi, por jo kur e di që nuk ke program që mund e harmonizon”, ka thënë Hamza në emisionin “Pressing” në T7.

Lexo edhe:  “Serbët kishin respekt për ne…”, Valon Behrami për humbjen e Zvicrës mbrëmë

Ai ka treguar se ka dallime të thella konceptuale mes PDK-së dhe VV-së.

“E dini qëndrimin tonë, nuk e kam problem, kam dalë të nesërmen me qëndrim. Kam thënë që për neve bashkëpunimi nuk është i mundur. Qytetarët e Kosovës kanë vendosur për një orientim tjetër, kemi dallime konceptuale shumë të thella, prej infrastrukturës e deri te diplomacia. Mirëpo nuk është qëllimi që tash ne duam të bëjmë bllokadë se po duam të vijmë në pushtet. Urdhëro bëje koalicionin”, ka thënë Hamza.

Edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në një mënyrë e ka refuzuar bashkëpunimin me partinë në pushtet.

Në postimin e fundit të tij në “Facebook”, Abdixhiku ka treguar se qëndrimet përfundimtare të LDK-së do të jepen pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

“Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim! Gjithsesi, për të gjitha këto do të vendosim si një! LDK është shtëpi e demokracisë! Le të presim numërimet! Le të ecim drejtë e siç dijmë ne! Dritë do të ketë sërish!”, ka shkruar Abdixhiku.