Hajnat e bëjnë ‘qyl’ shtëpinë e mërgimtarit në Prishtinë, vjedhin 50 mijë euro para të gatshme

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

E cak i hajnave shpeshherë janë edhe shtëpitë e mërgimtarëve, të cilat në Kosovë mbesin të mbyllura në shumicën e muajve të vitit, raporton Gazeta Sinjali.

Njëjtë e ka pësuar shtëpia e familjes Tahiri nga Prishtina, pronari i të cilës jeton jashtë vendit. Shtëpia e tyre u thye nga hajnat të cilët arritën të vjedhin një shumë të majme parash.

Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi disa të afërm të tij shkuan ta vizitojnë shtëpinë, të cilën e gjetën të demoluar dhe si rrjedhojë kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe pronarin e shtëpisë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hajnat kanë avulluar nga shtëpia e mërgimtarit hiç më pak se 50 mijë euro, para të gatshme.

Sipas pronarit të shtëpisë, vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet të jetë rreth 150 mijë euro.

Njësitë policore kanë kryer ne vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.

Lexo edhe:  Krimet e Rënda aksion kundër fajdesë në Prishtinë e Podujevë