Hajnat bëjnë ‘qyl’ shtëpinë e familjes Krasniqi në Suharekë, mësohet çka vodhën
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin me mijëra euro e gjësende me vlerë pa lënë ndonjë gjurmë.
Kështu e ka pësuar edhe familja Krasniqi në fshatin Shirokë të Suharekës, të dielën në mbrëmje.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë, ku kanë demoluar dhomat e gjumit dhe kanë arritur që të vjedhin një sasi goxha të madhe të stolive të arit, si dhe para të gatshme.
Bazuar në dëshminë e pronarit që ka denoncuar rastin në Polici, hajnat kanë vjedhur edhe një armë që e posedonte me leje.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.