Hajnat bëjnë kërdi në Viti, ‘avullojnë’ rreth 85 mijë euro para dhe ari nga shtëpitë e 3 vëllezërve Drugzani
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe dhe shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e kanë pësuar edhe tre vëllezër Drugzani në fshatin Sllatinë e Epërme të Vitisë, mbrëmë pas mesnate. Hajnat kanë bërë kërdi në shtëpitë e tyre, kur brenda pak minutave kanë vjedhur një shumë të majme parash e stoli ari.
Rastin e ka denoncuar në Polici njëri nga vëllezërit e tri shtëpive Drugzani, i cili ka raportuar se përderisa ishin në një aheng familjarë jashtë shtëpive, hajnat kanë hyrë në tri shtëpitë e tyre, prej ku kanë marrë para e stoli ari.
Sinjali mëson se hajnat kanë arritur të vjedhin stoli ari në vlerë rreth 35 mijë euro si dhe para cash në vlerë të rreth 50 mijë eurove.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.