Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi në Suharekë, vjedhin 25 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe familja Gashi në fshatin Leshan të Suharekës, ku hajnat kanë hyrë brenda shtëpisë së tyre me forcë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi e ka zbuluar se hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin rreth 25 mijë euro para të gatshme të familjarëve dhe stoli ari në vlerë të mijëra eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.