Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi në Pejë, vjedhin 10 mijë euro cash dhe shtatë pistoleta

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Shpetim Bojku’ në Pejë, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie dhe kanë vjedhur para e armë zjarri.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin rreth 10 mijë euro para të gatshme, shtatë pistoleta të cilat kapin vlerën e mijëra eurove dhe stoli ari.

Njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.

Lexo edhe:  Krasniqi i shkon në konak babait të Hashim Thaçit: Rikujtuam momentin dhe emocionet e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës