Grupi “Asnjë cent më shumë” e dorëzon padinë kundër ZRrE-së për çmimin e rrymës
Grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ka ndërmarrë veprim ligjor kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e dorëzuar zyrtarisht padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit të fundit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Avokati Ardian Bajraktari, i cili përfaqëson këtë grup, deklaroi se vendimi i ZRRE-së është i papranueshëm dhe i bazuar në shkelje ligjore.
“Ne sapo dorëzuam padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kërkojmë anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Jemi përpjekur të dëshmojmë që vendimi duhet të kthehet në pikën zero pasi ka pasoja zinxhirore dhe të pariparueshme. Ne sot do t’i drejtohemi edhe Avokatit të Popullit që të involvohet në këtë çështje”, u shpreh Bajraktari.
Kundërshtimin ndaj vendimit e bëri edhe përfaqësuesi i grupit, Ali Sefaj, i cili theksoi se presin nga gjykata që të veprojë në përputhje me ligjin dhe kërkesat e tyre.
“Gjykata është institucioni ku do ta atakojmë këtë vendim. Ne besojmë që do të vendosë konform kërkesave tona”, tha Sefaj.