Gruaja nga Vushtrria e çon në polici baxhanakun e saj: Po e rrah motrën

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë në të gjitha qytetet e Kosovës raportohen dhjetëra raste kur gratë dhunohen në forma të ndryshme nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes. E dhunën që përjetojnë, shpesh herë nuk kanë guxim e as mundësi që ta raportojnë vetë viktimat.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Dumnicë të Vushtrrisë, ku një grua ka njoftuar motrën e saj se burri me të cilën është e martuar që tri vjet, po ushtron dhunë sistematike psikike e fizike ndaj saj.

Sinjali mëson se ajo ka kërkuar ndihmën e motrës së saj që ta lajmërojë Policinë, pasi që i dyshuari e kishte kërcënuar se nëse paraqet rastin në organet e rendit, do ta pësojë vëllai i saj.

Motra e viktimës ka njoftuar Policinë për rrezikun që i kanoset motrës së saj dhe njësitë policore janë vënë menjëherë në veprim, ku kanë arritur që të arrestojnë personin e dyshuar.

Në stacion policor është shoqëruar edhe viktima, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar gjatë bashkëjetesës me të dyshuarin. Ajo bashkë me fëmijët e saj të mitur, ka shkuar në strehimore, teksa ka kërkuar që të pajiset edhe me urdhërmbrojtës.

Ndërsa me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Bllokohet qarkullimi i automjeteve në drejtim të Brezovicës, Policia jep detaje