Gruaja nga Prizreni denoncon për dhunë vjehrrin e saj, 56-vjeçari përfundon në Polici

Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme në lagjen Arbana në Prizren, ku një 29-vjeçare e ka denoncuar në Polici babain e bashkëshortit, vjehrrin e saj.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehrri i saj po ushtron dhunë sistematike ndaj saj, duke i bërë presion, e deri në atë pikë sa e ka sulmuar edhe fizikisht. Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke e raportuar të dyshuarin në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.

Si rezultat i raportimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Prishtinë, bëhem llom dy BMW