Gruaja në Prizren në hall me bashkëshortin abuziv, 50-vjeçari dërgohet në paraburgim pasi shkeli urdhrin e mbrojtjes

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste në organet e rendit. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë, raporton Gazeta Sinjali.

Si pasojë e dhunës, shumë gra pajisen edhe me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata, mirëpo as kjo nuk respektohet gjithmonë nga burrat.

Sinjali mëson se në hall me bashkëshortin e saj është edhe një grua në Prizren, e cila ka kërkuar disa herë ndihmën e Policisë dhe është pajisur me urdhërmbrojtës nga Gjykata.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, për shkak se i dyshuari është recidivist i dhunës në familje, Gjykata i kishte caktuar atij masën e arrestit shtëpiak, por as kjo nuk ‘ia kishte lënë shenjë’.

Rasti i fundit ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur i dyshuari kishte shkuar të shtëpia e viktimës, ku pas konfliktit verbal e kishte sulmuar fizikisht atë dhe i kishte dëmtuar veturën.

Pas denoncimit në organet e rendit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti më pas është shoqëruar në Polici ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas konsultimit me Gjykatën, 50-vjeçarit i është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me paraburgim, për një muaj.

Lexo edhe:  Gjilanasi raporton rrejshëm se u grabit, s’guxoi t’i tregojë familjes se i harxhoi paratë nëpër disko në Slloveni